Haxhiu kërkon që progresi i Kosovës të marrë përgjigje të qartë politike nga BE-ja
U.D. Presidentja Haxhiu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për zhvillimin e vendit dhe theksoi se Kosova e ka kthyer këtë mbështetje në institucione demokratike, në reforma dhe në një orientim të qartë evropian
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu priti sot në takim drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, gjatë vizitës së saj të parë në Kosovë, Valentina Superti, transmeton Anadolu.
Haxhiu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për zhvillimin e vendit dhe theksoi se Kosova e ka kthyer këtë mbështetje në institucione demokratike, në reforma dhe në një orientim të qartë evropian, i cili gëzon mbështetje shumë të lartë qytetare.
Ajo theksoi se Kosova ka mbajtur kurs të qartë në reformat evropiane, është plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe po i zbaton me seriozitet obligimet që dalin nga Agjenda e Reformave dhe Plani i Rritjes.
Haxhiu kërkoi që progresi i Kosovës të marrë përgjigje të qartë politike nga Bashkimi Evropian përmes avancimit drejt statusit kandidat dhe hapjes së negociatave të anëtarësimit.
U.D. Presidentja Haxhiu theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit dhe të bashkëpunimit të barabartë rajonal, ku Kosova duhet të trajtohet me të njëjtën mundësi për përfaqësim, lidhje infrastrukturore, tregti, digjitalizim dhe qasje në iniciativat e tregut të përbashkët.

