Ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut: Lidhja hekurudhore me Bullgarinë pritet të përfundojë
Ai e cilësoi projektin si një nga ndërmarrjet infrastrukturore më komplekse në vend, me gjatësi prej 34 kilometrash, ku po ndërtohen 29 ura, 15 tunele, gjashtë mbikalime dhe tre nënkalime
Zv.kryeministri dhe ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski, gjatë inspektimit të punimeve ndërtimore në Korridorin 8 ka deklaruar se lidhja hekurudhore midis vendit të tij dhe Bullgarisë pritet të përfundojë plotësisht deri në vitin 2031, transmeton Anadolu.
Së bashku me drejtorin e Infrastrukturës së Hekurudhave të Maqedonisë, Sinisha Ivanovski, ministri Nikolloski vizitoi seksionin e dytë të hekurudhës drejt Bullgarisë, respektivisht seksionin Belјakovcë-Kriva Pallankë.
Ai e cilësoi projektin si një nga ndërmarrjet infrastrukturore më komplekse në vend, me gjatësi prej 34 kilometrash, ku po ndërtohen 29 ura, 15 tunele, siç theksoi ai, numrin më të madh të tuneleve të ndërtuara ndonjëherë në vend, si dhe gjashtë mbikalime, tre nënkalime dhe tri stacione hekurudhore.
Sipas tij, linja hekurudhore është projektuar për shpejtësi prej 100 deri në 120 kilometrash në orë, ndërsa shtyllat më të larta të urave arrijnë lartësinë prej 61 metrash.
Nikolloski tha se punimet ndërtimore kanë arritur në 31 për qind të realizimit dhe se pret që trenat të fillojnë të qarkullojnë në këtë seksion deri në tremujorin e fundit të vitit 2028.
Ai njoftoi se pas përfundimit të seksionit të dytë do të vijojë ndërtimi i seksionit të tretë drejt kufirit me Bullgarinë, për të cilin tashmë është shpallur tenderi për zgjedhjen e organit mbikëqyrës, ndërsa në javët e ardhshme pritet të shpallet edhe tenderi për ndërtimin.
"Pres që, ashtu siç kemi premtuar, deri në vitin 2031 të përfundojmë të gjithë seksionin, përfshirë tunelin që duhet të ndërtohet së bashku me Bullgarinë. Qëllimi është që në vitin 2031 projekti të jetë i përfunduar nga të dyja palët", tha ai.
Nikolloski theksoi se Korridori 8 është pjesë e rrjetit evropian të transportit që lidh Detin Adriatik me Detin e Zi dhe se NATO e ka shpallur atë korridorin e dytë më të rëndësishëm për sigurinë.
Sipas drejtorit Ivanovski, aktivitetet po zhvillohen në tre segmente kryesore, përkatësisht punimet tokësore dhe ndërtimore, rehabilitimi dhe zgjerimi i 26 urave të ndërtuara në vitet nëntëdhjetë, si dhe ndërtimi i 15 tuneleve.
"Seksioni i dytë i hekurudhës drejt Bullgarisë ka gjatësi prej 34 kilometrash. Hekurudha, ndërtimi i së cilës filloi në vitet nëntëdhjetë, për rreth 30 vjet nuk kishte asnjë aktivitet, ndërsa tani punimet po zhvillohen intensivisht", tha Ivanovski.