Kontingjenti i parë i helikopterëve nga Shqipëria do t'i bashkohet KFOR-it në Kosovë
Në Bazën Ajrore të Farkës në Tiranë është zhvilluar ceremonia e përcjelljes së 13 efektivëve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, që do të shërbejnë në këtë mision të Aleancës, në bazën ushtarake amerikane “Bondsteel”.
Kontingjenti i parë i helikopterëve nga Shqipëria do t'i bashkohet misionit të NATO-s, KFOR, në Kosovë, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se në Bazën Ajrore të Farkës në Tiranë është zhvilluar ceremonia e përcjelljes së 13 efektivëve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, që do të shërbejnë në këtë mision të Aleancës, në bazën ushtarake amerikane “Bondsteel”.
Në fjalën përshëndetëse që mbajti në këtë ceremoni, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, sipas njoftimit e cilësoi këtë angazhim si dëshmi të profesionalizmit të ushtarakëve shqiptarë dhe të përgjegjësive që “Shqipëria përmbush si aleat i përkushtuar i NATO-s".
“Kontingjenti që përcjellim sot është pjesë e kësaj përpjekjeje. Ai dëshmon se Forca Ajrore po zgjeron rolin e saj dhe se Forcat tona të Armatosura po konsolidojnë kapacitetet për të përmbushur detyra gjithnjë e më të rëndësishme në kuadër të NATO-s. Për Shqipërinë, ky mision ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm për lidhjen vëllazërore dhe historike me Kosovën, por edhe sepse siguria dhe stabiliteti i Kosovës lidhen drejtpërdrejt me paqen dhe sigurinë e Shqipërisë dhe gjithë rajonit tonë. Në këtë kuadër, angazhimi ynë në KFOR mbetet i palëkundur", tha ministri Nufi.
Sipas ministrit Nufi, kontributi i Shqipërisë për sigurinë ndërkombëtare nuk kufizohet vetëm në këtë mision, por ai është, sipas tij, pjesë gjithashtu e operacioneve të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të Kombeve të Bashkuara.
