Shpërthimi në një fabrikë fishekzjarrësh në Kinë, rritet në 37 numri i viktimave
Liuyang, i konsideruar gjerësisht si qendra e prodhimit të fishekzjarrëve në Kinë, pret më shumë se 400 ndërmarrje prodhimi.
Numri i viktimave nga shpërthimi në një fabrikë fishekzjarrësh në provincën Hunan të Kinës qendrore është rritur në 37, raportoi sot agjencia shtetërore Xinhua News, transmeton Anadolu.
Shpërthimi ndodhi të hënën në qytetin Liuyang në provincën Hunan ku gjithashtu 51 persona mbetën të plagosur ndërsa një person llogaritet i zhdukur. Pesë nga të plagosurit janë në gjendje kritike.
Policia ka ndaluar tetë persona me dyshimin për neglizhencë.
Pas incidentit, autoritetet lokale vendosën në mobilizim mbi 1.500 anëtarë të personelit për reagim emergjent. Operacionet e kërkim-shpëtimit kanë përfunduar kryesisht.
Autoritetet kineze kanë urdhëruar të gjitha fabrikat e fishekzjarrëve në provincën Hunan që të pezullojnë menjëherë prodhimin për një rregullim të plotë të sigurisë.
Liuyang, i konsideruar gjerësisht si qendra e prodhimit të fishekzjarrëve në Kinë, pret më shumë se 400 ndërmarrje prodhimi.
Prodhimi vjetor i qytetit tejkaloi 50 miliardë juanë (7.3 miliardë dollarë) në vitin 2025, duke përbërë afërsisht 70 për qind të eksporteve totale të fishekzjarrëve të Kinës. Zyrtarët kanë nisur një hetim për shkakun e shpërthimit.