Qeveria në detyrë e Kosovës miraton pako të re për përballje me inflacionin
Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar pako të re për përballje me inflacionin, duke ndarë për javën e ardhshme nga 100 euro për pensionistët, fëmijët, sektorin jopublik dhe për studentët
Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar pako të re për përballje me inflacionin, duke ndarë për javën e ardhshme nga 100 euro për pensionistët, fëmijët, sektorin jopublik dhe për studentët, raporton Anadolu.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se i ka kërkuar ministrit të Financave ta dizajnojë një pako për përballje me inflacionin me qëllim që qytetarët “të mos mbesin vetëm”.
“Kam kënaqësinë t’ju njoftoj për Pakon për përballje me inflacionin 2.0 që e kemi dizajnuar dhe do ta miratojmë sot me masat si vijon: Mbështetje e njëhershme prej 100 euro për pensionistë, mbështetje e njëhershme prej 100 euro për fëmijët, mbështetje e njëhershme prej 100 euro për punonjësit e sektorit jopublik, mbështetje prej 100 eurosh për studentët aktivë”, theksoi Kurti.
Ai tha se për këto përfitime nuk do të ketë nevojë për aplikim nga pensionistët dhe fëmijët sepse listat e tyre tashmë ekzistojnë dhe pagesat synohet të bëhen para festës së Bajramit.
Sa i përket të punësuarve të sektorit jopublik dhe studentëve, nevojitet procedurë aplikimi e cila do të hapet javën e ardhshme.
Po ashtu, Qeveria ka miratuar edhe rritjen e shtesave për lehonat nga 325 sa ishin në 500 euro në muaj, apo 3 mijë euro për gjithë periudhën sa një grua është lehonë.

