Kosovë, diplomojnë maturantët e Shkollave Maarif në Prishtinë dhe Prizren
Gjatë ceremonive diplomuan gjithsej 64 nxënës nga të dy kampuset.
Shkollat Ndërkombëtare Maarif në Kosovë organizuan ceremonitë e diplomimit për nxënësit e klasave të 12-ta në kampuset e Prishtinës dhe Prizrenit, transmeton Anadolu.
Maarif bëri të ditur se nxënësit përmbyllën me sukses një etapë të rëndësishme të jetës së tyre shkollore, duke hedhur kapelat në ajër simbolikisht dhe duke hedhur hapin e parë drejt një të ardhmeje të re dhe plot mundësi.
Në ceremoninë e mbajtur në Kampusin e Prishtinës morën pjesë: Ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunc Angili, përfaqësuesi i Fondacionit Turk Maarif në Kosovës, Mehmet Nedim Aslan, kryetari i Komitetit të Përfaqësimit Ushtarak Turk në Kosovë Harun Elitas, drejtori i Arsimit i Komunës së Lipjanit Rasim Hasani, këshilltari i Arsimit në Ambasadën e Turqisë Veysel Erdel dhe këshilltari Tregtar i Ambasadës së Hungarisë Aron Kerekgyarto, si dhe drejtues shkollash, mësimdhënës, prindër dhe nxënës.
Në Kampusin e Prizrenit, ceremonia e diplomimit u zhvillua me po të njëjtin emocion dhe pjesëmarrje të gjerë. Këtu të pranishëm ishin Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Turqisë në Prizren Fatih Topcu, përfaqësuesi i Fondacionit Turk Maarif në Kosovës, Mehmet Nedim Aslan, koloneli Harun Elitas, këshilltari i Arsimit në Ambasadën e Turqisë Veysel Erdel, nënkryetari i Komunës së Prizrenit Furkan Butuc si dhe ish-deputetët e Kuvendit të Kosovës Kujtim Gashi dhe Duda Balje, së bashku me përfaqësues të Komunës së Prizrenit, mësimdhënës, prindër dhe nxënës.
Gjatë ceremonive diplomuan gjithsej 64 nxënës nga të dy kampuset.
Përfaqësuesi i Fondacionit Turk Maarif në Kosovë, Mehmet Nedim Aslan theksoi se diplomimi nuk është fundi, por fillimi i një rruge të re plot mundësi dhe sfida.
Nxënësit u vlerësuan me certifikata arritjesh ndërsa emrat e tyre u vendosën në “Pemën e Suksesit” tradicionale të Maarif-it.
Ceremonitë u përmbyllën me performanca artistike dhe shpërndarjen e diplomave.