Ministri Gonxhja: Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut kanë vizion të përbashkët për Prespën në
- "Diskutuam nismën për kandidaturën e përbashkët të Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, për nominimin e rajonit të Prespës në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s", tha Gonxhja mbi takimin me ambasadoren e Greqisë.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja ka deklaruar se Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut kanë një vizion të përbashkët për Prespën në UNESCO, transmeton Anadolu.
Ministri Gonxhja ka bërë të ditur në rrjetet sociale se ka zhvilluar një takim me Ambasadoren e Greqisë në Shqipëri, Lambrini Komini.
"Diskutuam nismën për kandidaturën e përbashkët të Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, për nominimin e rajonit të Prespës në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si dhe çështje të tjera me interes reciprok. E mirëpresim këtë nismë të propozuar nga Ministria e Kulturës e Greqisë dhe jemi të gatshëm ta çojmë përpara së bashku", ka theksuar Gonxhja.
Ai ka shtuar se ky proces shkon përtej vetë nominimit dhe sipas tij sjell më shumë vëmendje ndërkombëtare, mbrojtje dhe promovim të trashëgimisë, zhvillim të qëndrueshëm, turizëm cilësor dhe mundësi të reja për komunitetet lokale.
"Prespa është një pasuri që e ndajmë mes tri vendeve, por mbi të gjitha një përgjegjësi dhe mundësi që na bashkon. Synimi ynë është ta kthejmë në një model evropian të bashkëpunimit ndërkufitar, ku natyra, kultura dhe turizmi bëhen ura mes vendeve tona dhe motorë zhvillimi për të gjithë rajonin", ka theksuar ndër të tjera Gonxhja.
