Ngrihet aktakuzë ndaj një të dyshuari për krime lufte ndaj popullsisë civile në Kosovë
I dyshuari ka qenë pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë derisa më 22 maj të vitit 1999 kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës femër me inicialet Sh.D., e cila nuk u kishte mbijetuar plagëve të marra
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet R.D., nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” në Komunën e Vushtrrisë, raporton Anadolu.
Prokuroria njofton se, sipas aktakuzës, i dyshuari ka qenë pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë derisa më 22 maj të vitit 1999 kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës femër me inicialet Sh.D., e cila nuk u kishte mbijetuar plagëve të marra.
Po ashtu, i pandehuri akuzohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 71 civilëve, në trajtim çnjerëzor, torturë, plaçkitje dhe dëbim të popullsisë civile shqiptare.
Rasti i është dërguar për shqyrtim të mëtejmë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa i pandehuri ndodhet në masën e paraburgimit.

