Kuvendi i Shqipërisë miraton mes tensionesh reformën e re administrativo-territoriale
Ligji “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, e ul numrin e bashkive nga 61 në 46. Sipas ndarjes së re, 46 bashkitë do të përbëhen nga 71 qytete dhe 387 njësi administrative.
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Projektligjin “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, raporton Anadolu.
Pas diskutimeve në seancën maratone e cila u shoqërua me debate dhe tensione, reforma e re territoriale u miratua me 85 vota pro, 34 kundër dhe asnjë abstenim, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.
Reforma e re e ul numrin e bashkive në shkallë vendi nga 61 që janë aktualisht në 46. Sipas ndarjes së re, 46 bashkitë do të përbëhen nga 71 qytete dhe 387 njësi administrative.
Seanca u shoqërua edhe me tensione, ku në momentin e votimit deputetët e partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike bllokuan foltore dhe hodhën vezë dhe sende të tjera në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe ministrave.
Partia në pushtet, Partia Socialiste e drejtuar nga Rama, ka argumentuar se reforma synon forcimin e autonomisë financiare të pushtetit vendor dhe rritjen e kapaciteteve administrative.
Opozita e ka kundërshtuar reformën, duke kërkuar në Kuvend që kjo reformë të hidhet në referendum, sipas saj, duke propozuar që qytetarët të kenë mundësinë të zgjedhin mes varianteve të ndryshme.
Projektligji në fjalë ka shkaktuar protesta në javët e fundit në disa qytete dhe reagime kundra bashkimit të disa bashkive.
Sipas autoriteteve, ligji do të dekretohet nga Presidenti Bajram Begaj dhe hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren Zyrtare" ndërkohë zgjedhjet e ardhshme vendore të vitit 2027 pritet të mbahen sipas ndarjes së re administrative.

