Haxhiu i drejtohet Kushtetueses për kompetencat presidenciale
U.d Presidentja Haxhiu përfundoi gjashtë muajt e saj në ushtrimin e deryrës së presidentes më 4 tetor.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese sqarim se kush mund t’i ushtrojë kompetencat presidenciale pas përfundimit të mandatin gjashtëmujor të saj, në rast se Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin e ri sot, transmeton Anadolu.
U.d Presidentja Haxhiu përfundoi gjashtë muajt e saj në ushtrimin e deryrës së presidentes më 4 tetor. Sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese më 6 tetor përfundon afati kushtetues për të zgjedhur presidentin e ri.
Në rast se nuk ndodh kjo Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 45 ditësh ndërsa zgjedhjet duhet të shpallen nga presidenti.
“Kemi kërkuar të përcaktohet se si dhe nga kush ushtrohen kompetencat e domosdoshme presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, kur presidenti i ri ende nuk është zgjedhur”, thuhet në përgjigjen e Presidencës për mediat në Kosovë.
“Kushtetuta këtë kompetencë ia njeh presidentit (kush i shpall zgjedhjet). Përcaktimi i autoritetit që mund ta ushtrojë atë në rrethanat e krijuara është një nga çështjet kryesore që ia kemi shtruar Gjykatës. Qëndrimi ynë është se duhet të sigurohet një zgjidhje kushtetuese që mundëson shpalljen dhe mbajtjen e zgjedhjeve brenda afateve të përcaktuara”, thuhet në fund të përgjigjes.
Kushtetuta e Kosovës përcakton shprehimisht se pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.
