Kuvendi i Kosovës miraton deklaratë për mbrojtjen e UÇK-së
Deputetët me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, miratuan Deklaratën për aktgjykimin dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Deputetët e Legjilsaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës kanë miratuar një deklaratë të hartuar së bashku për mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe kundër vendimit të konsideruar të padrejtë të Gjykatës Speciale për katër ish-krerët e UÇK-së në Hagë, raporton Anadolu.
Deputetët me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, miratuan Deklaratën për aktgjykimin dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në deklaratën të cilën e lexoi para deputetëve kryetarja Albulena Haxhiu, Kuvendi ka shprehur shqetësimin e tij të thellë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër ish-krerëve të UÇK-së; e ka konsideruar si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal si dhe ka kërkuar nga të gjitha institucionet shtetërore të marrin veprime të nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të Kosovës.
"Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen të gjihta veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës", thuhet në deklaratën e lexuar nga Haxhiu.
Tutje në Deklaratë thuhet se në Kosovën e viteve 1998-1999, ekzistenca e një ndërmarrje të përbashkët kriminale për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova është vërtetuar tashmë me aktgjykime të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ndaj drejtuesve politikë, ushtarakë dhe policorë të Jugosllavisë dhe Serbisë.
"(Deklarata) Kundërshton çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës për të vënë nën dyshim luftën e saj çlirimtare apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë", thuhet tutje në deklaratë.
Pas miratimit të kësaj deklarate, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me iniciativën e së cilës u ngrit deklarata, i ka falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratim, ndërsa ka kërkuar që në vijim të votohen edhe plotësim-ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
"Votimi i ligjit është hapi i radhës për t'i dhënë përgjigje institucionale kërkesave që kemi ngritur. PDK-ja do të vazhdojë të angazhohet për mbrojtjen e luftës së drejtë të UÇK-së dhe për një proces të drejtë ndaj ish-krerëve të saj", thuhet në njoftimin e PDK-së.
Më 16 shtator, Thaçi dhe Krasniqi u shpallën fajtor dhe u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërkaq Veseli me 18 vjet burgim dhe Selimi me 13 vjet burgim nga Gjykata Speciale.
Ish-udhëheqësit e UÇK-së u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.