Presidentja e Maqedonisë së Veriut: Zgjerimi është test për kapacitetin strategjik të Bashkimit Evro
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova foli sot në sesionin me titull "A është Evropa (ende) një aktor global?" në Samitin e 22-të Evropian në Salzburg
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova foli sot në sesionin me titull "A është Evropa (ende) një aktor global?" në Samitin e 22-të Evropian në Salzburg, transmeton Anadolu.
Ajo foli për të ardhmen e projektit evropian, sfidat strategjike me të cilat përballet Bashkimi Evropian (BE) dhe nevojën për të përshpejtuar integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor, një çështje mbi të cilën BE ka kontroll të plotë dhe fuqi vendimmarrëse.
Duke reflektuar mbi rrugëtimin evropian të vendit, presidentja vuri në dukje se nga 35 vite pavarësi, vendi ka kaluar 21 vite si kandidat për anëtarësim në BE, me 17 raporte pozitive që rekomandojnë nisjen e negociatave, një shkallë të lartë harmonizimi me legjislacionin evropian dhe përafrim 100 për qind me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë dhe theksoi se vendi renditet ndër më të suksesshmit në zbatimin e reformave evropiane dhe të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Ajo theksoi se asnjë vend tjetër evropian nuk ka mbajtur një barrë kaq të rëndë në rrugën e tij drejt integrimit. "Ne ndryshuam flamurin kombëtar dhe emrin kushtetues, si dhe miratuam 36 amendamente kushtetuese, shumica dërmuese e të cilave u diktuan nga jashtë", tha Davkova.
"Detyrimi i një shteti për të ndryshuar strukturën e tij të brendshme ligjore me qëllim zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje historike ngre një çështje serioze lidhur me qëndrueshmërinë e parimeve evropiane. Neni 4(2) i Traktatit për Bashkimin Evropian e detyron Unionin të respektojë barazinë e shteteve anëtare dhe identitetet e tyre kombëtare, të cilat janë të rrënjosura në strukturat e tyre themelore politike dhe kushtetuese. Megjithatë, në rastin tonë, një amendament kushtetues i kushtëzuar nga një mosmarrëveshje dypalëshe historike po paraqitet si një test i kapacitetit tonë demokratik", tha Siljanovska-Davkova.
Sipas saj, retorika e ashpërsuar tregon se sa shpejt mund të bëjë hapa prapa rajoni kur perspektiva evropiane bëhet e paqartë. Ajo theksoi se e vetmja forcë e aftë për të qetësuar tensionet në Ballkan dhe për ta çuar rajonin përpara, është një perspektivë e besueshme për anëtarësim në BE.
"Ndërsa Unioni shpreh ambicien për t'u bërë fuqi globale përmes ofertave për anëtarësim të asociuar drejtuar shteteve të tjera, duke vonuar zgjerimin e vet, ai në fakt dëshmon pafuqinë e tij", theksoi presidentja e Maqedonisë së Veriut.
Ajo shtoi se zgjerimi nuk është thjesht një politikë ndaj vendeve kandidate, por një test i kapacitetit të BE-së për të vepruar në mënyrë strategjike. "Nëse dëshiron një peshë më të madhe gjeopolitike, Evropa duhet të jetë më e guximshme dhe më konsekuente: më pak paparashikueshmëri, më shumë meritokraci; më pak paternalizëm, më shumë partneritet të mirëfilltë", shtoi Siljanovska-Davkova.
Për të, procesi i zgjerimit, në vend që të shërbejë si katalizator për reforma, po mbahet gjithnjë e më shumë peng nga mosmarrëveshjet dypalëshe që nuk bëjnë pjesë në kriteret e Kopenhagës.
"Kur progresi nuk varet nga vetë reformat, procesi e humb besueshmërinë. Ky nuk është më vetëm një problem për kandidatët, por një problem institucional për vetë BE-në", deklaroi Siljanovska-Davkova.
Në fund, ajo arriti në përfundimin se reforma e zgjerimit nuk është një favor për Ballkanin Perëndimor, por një investim në kapacitetin gjeopolitik të vetë Bashkimit Evropian.