Kulla e Sahatit, monumenti simbol në Elbasan
Kulla e Sahatit në Elbasan, e cila u ndërtua në vitin 1899 ka një lartësi prej 30 metra dhe ka një planimetri katrore me përmasa mbi 4x4 metra, ndërsa në majë ka një kube

Qyteti i Elbasanit në Shqipërinë qendrore është një qytet i pasur me monumente të kulturës, duke tërhequr vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj.
Kullat e sahatit janë objekte të trashëgimisë kulturore dhe historike në disa qytete të Shqipërisë, duke qenë "dëshmitare" të historisë së qyteteve, por edhe arkitekturës së veçantë.
Pjesë e trashëgimisë historike dhe kulturore të qytetit të Elbasanit është edhe Kulla e Sahatit, një monument simbol që spikat në këtë qytet dhe e njohur edhe më gjerë, që ka statusin e monumentit të kulturës të kategorisë së parë.
Kulla e ndërtuar gjatë periudhës osmane është e vendosur në qendër të qytetit, brenda ambienteve të Kalasë së Elbasanit, së bashku me monumente të tjera të kulturës.
Kulla e Sahatit, e cila u ndërtua në vitin 1899 ka një lartësi prej 30 metra dhe ka një planimetri katrore me përmasa mbi 4x4 metra, ndërsa në majë ka një kube.
Ora me mekanizmin e saj të vjetër vazhdon të funksionojë në të katër anët e kullës.
Sipas të dhënave zyrtare të Bashkisë së Elbasanit kulla është ndërtuar me kontributin e tregtarëve dhe banorëve të qytetit, ndërkohë është ruajtur në formën origjinale deri në ditët e sotme.
Për sa i takon teknikës së ndërtimit dhe materialeve të përdorura për ndërtimin e kësaj kulle, janë përdorur hekur për brezat e murit, druri për shkallë dhe dysheme, tullë dhe gurë.
Nga burime të shkruara dhe studime të ndryshme pretendohet se në këtë qytet para ndërtimit të kullës ekzistuese ka patur edhe kulla të tjera.
Sot Kulla e Sahatit në Elbasan është një nga monumentet e njohura të këtij qyteti, që për çdo vizitor tërheq vëmendjen sapo përballesh me qendrën e qytetit, që "bashkëjeton" me peizazhin urban të qytetit dhe është një "dëshmitare" e historisë së qytetit.
Kullat e sahatit janë elementë karakteristikë të disa qyteteve të Shqipërisë dhe sot kulla të tilla janë edhe në Tiranë, Gjirokastër, Berat, Shkodër, Vlorë dhe qytete të tjera.