Murtezani-Boka: Maqedonia e Veriut dhe Hungaria janë të lidhura me marrëdhënie të thella miqësore
"Maqedonia e Veriut dhe Hungaria janë të lidhura me marrëdhënie të thella miqësore, ndërkaq bashkëpunimi bilateral po merr dinamikë ende më të fuqishme. Hungaria që moti ka mirënjohjen tonë për mbështetjen e zëshme në rrugën tonë euro integruese"

Ministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, ka pritur në takim homologun e tij hungarez, Janosh Boka, i cili po qëndron për vizitë pune në Shkup.
Siç njoftojnë nga Ministria për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut, dy ministrat riafirmuan përcaktimin e përbashkët për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e mbështetjes në procesin aderues drejtë Bashkimit Evropian (BE).
Në konferencën e përbashkët për media pas takimit, Murtezani vlerësoi rolin kryesues të Hungarisë me Këshillin e BE-së vitin e kaluar, siç tha ai, gjatë asaj periudhe çështja e zgjerimit të bllokut evropian dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor u vendos lartë në prioritetet e kryesimit dhe në agjendën evropiane.
"Maqedonia e Veriut dhe Hungaria janë të lidhura me marrëdhënie të thella miqësore, ndërkaq bashkëpunimi bilateral po merr dinamikë ende më të fuqishme. Hungaria që moti ka mirënjohjen tonë për mbështetjen e zëshme në rrugën tonë euro integruese", tha Murtezani.
Dy ministrat gjithashtu nënshkruan memorandum për bashkëpunim mes dy ministrive, mes të cilës synohet të vendosen themele për bashkëpunim afatgjatë institucional, shkëmbim të eksperiencave, mbështetje administrative dhe koordinim në drejtim të harmonizimit me legjislacionin evropian dhe shfrytëzimin efektiv të fondeve evropiane.
Murtezani tha se, me nënshkrimin e këtij memorandumi, bashkëpunimit tashmë të ngushtë mes dy vendeve i jepet një dimension institucional dhe kornizë e qëndrueshme.
"Ky dokument nuk paraqet vetëm mjet administrativ formal, por është shprehje e përkushtimit tonë të ndërsjellë për thellimin e partneritetit përmes shkëmbimit të njohurive, përvojave dhe përpjekjeve të përbashkëta drejt përmbushjes së standardeve evropiane", tha Murtezani.
Sipas tij, Maqedonia e Veriut dhe Hungaria me këtë bashkëpunim edhe një herë tregojnë se Evropa nuk është vetëm gjeografi apo burokraci, por qëllim i përbashkët, vlera të përbashkëta dhe besim i përbashkët se politika e zgjerimit është një nga qëllimet më të rëndësishme strategjike të BE-së, i cili atraksionin e tij dhe fuqinë transformuese e merr pikërisht nga unifikimi - si koncept thelbësor evropian të solidaritetit, mbështetjes së ndërsjellë dhe vizionit për kontinentin i cili nuk ndërtohet në ndarje, por mbi lidhshmëri, vlera dhe të ardhme të përbashkët.