Shiroka-Pula dhe Kurti bëjnë homazhe me rastin e përvjetorit të rënies së dëshmorëve Afrim Zhitia e
Kryeministri Kurti tha se Afrimi e Fahriu, punuan dhe luftuan, u angazhuan e kontribuuan, për çlirimin e Kosovës, për lirinë e popullit dhe për bashkimin e përparimin e tij
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula dhe kryeministri Albin Kurti bënë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Velani, në 37-vjetorin e rënies së dëshmorëve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, transmeton Anadolu.
Presidentja Justina Shiroka-Pula nderoi jetën dhe veprën e dy atdhetarëve, duke theksuar se sakrifica e tyre mbetet pjesë e pandashme e historisë së përpjekjes së Kosovës për liri.
"Ata nuk e pritën ditën e lirisë, por dhanë jetën që ajo ditë të vinte. Emrat e tyre mbeten të lidhur përgjithmonë me këtë liri dhe me përgjegjësinë tonë për ta bërë Kosovën siç deshën dhe për të cilën u flijuan", ka theksuar Shiroka-Pula.
Kryeministri Kurti tha se para 37 vjetëve dëshmorët Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu ranë heroikisht në ballafaqim të armatosur e të pabarabartë me forcat e shtetit serbo-jugosllav.
"Në vitin 1989 i kishim Afrimin e Fahriun, e pesë vjet para tyre, në mes të viteve të 80-ta, e kishim Rexhep Malën e Nuhi Berishën. Ishin këto përballje, në të cilat rënia heroike e veprimtarëve intelektualë dhe patriotëve idealistë, bëhej ngritje e vetëdijes dhe e organizimit të shqiptarëve. Ishte kjo dekada kur shqiptarët nën ish-Jugosllavi, përbënin 1/8 e popullsisë së gjithmbarshme, por rreth 80 për qind të të gjithë ish-të burgosurve politikë, ishin shqiptarë", tha Kurti.
Ai tha se Afrimi e Fahriu, punuan dhe luftuan, u angazhuan e kontribuuan, për çlirimin e Kosovës, për lirinë e popullit dhe për bashkimin e përparimin e tij.