Kosovë, Kurti fton LDK-në për koalicion qeverisës

"Ne sigurisht që kemi dallime në bindje politike e në politikat qeverisëse, por koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime", shkruan mes tjerash Kurti në letër

SHQİP Yayın: 05 May 2025 - Monday - Güncelleme: 05.05.2025 13:10:00
Editör -
Okuma Süresi: 4 dk.
Google News

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, i ka dërguar një letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në të cilën i ka bërë ftesë për koalicion qeverisës, raporton Anadolu.

Në këtë letër, kreu i LVV-së, Albin Kurti, i shprehu kreut të partisë së tretë më të madhe të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lumir Abdixhikut, interesimin dhe vullnetin për marrëveshje politike me LDK-në.

"Ne sigurisht që kemi dallime në bindje politike e në politikat qeverisëse, por koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime, duke vendosur të drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve si prioritet", shkruan në letër.

Aty Kurti ka thënë se LDK-ja njihet si parti që nuk ka hezituar për koalicione qeverisëse për vite me radhë, që nga periudha e pasluftës.

"Mospajtimet e diferencat që mund të ketë LDK-ja me LVV-në sot nuk janë më të mëdha sesa që LDK i kishte para koalicioneve të mëhershme kur i bëri ato. Plus në vitin 2020 ne bashkë kemi qenë kolegë në Kurti 1, kur unë nuk kam pasur probleme me juve, por me disa te tjerë që nuk kanë më pozita të larta e as ndikim të madh në LDK si asokohe", ka shkruar Kurti.

Ai tutje ka shkruar se është i bindur se edhe votuesit e të dyja partive preferojnë një koalicion të tillë.

"Jam i bindur që edhe votuesit e LDK-së e sot preferojnë më së shumti koalicionin me LVV-në. Edhe votuesit e LVV-së e preferojnë po ashtu me së shumti koalicionin me LDK-në, pse të mos e bëjmë?", ka shtuar Kurti.

Ai ka thënë se LVV-ja nuk është e interesuar për koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

"Ne edhe mund të shkojmë në zgjedhje të reja ku pak çka mund të ndryshojë për LDK-në dhe mandej sërish do të na duhet të ulemi bashkë për koalicionin LVV-LDK! Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash? Pse edhe një palë zgjedhje për koalicionin e njëjtë?", ka shkruar Kurti.

Kurti shtoi se këto çështje është më së miri që të fliten dhe të diskutohen në një takim, ashtu siç u takon politikanëve të pjekur që e kanë ardhmërinë e shtetit dhe përparimin shoqëror prioritet mbi çdo gjë.

Lëvizja Vetëvendosje që nga 15 prilli kur është mbajtur seanca e parë konstituive nuk ka arritur t'i bëjë numrat për emërimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, gjë e cila më pas do t'i hapte rrugë edhe formimit të Qeverisë së re.

Deri më tani pro kandidatit të LVV-së, për kryetar të Kuvendit, kanë votuar jo më shumë se 57 deputetë ndërsa për këtë pozitë duhen së paku 61 vota. LDK-ja nga zgjedhjet e 9 shkurtit fitoi 20 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Yorumlar (0)
Suç teşkil edecek, yasadışı, tehditkar, rahatsız edici, hakaret ve küfür içeren, aşağılayıcı, küçük düşürücü, kaba, müstehcen, ahlaka aykırı, kişilik haklarına zarar verici ya da benzeri niteliklerde içeriklerden doğan her türlü mali, hukuki, cezai, idari sorumluluk içeriği gönderen Üye/Üyeler’e aittir.