Lëvizja Vetëvendosje fton PDK-në dhe LDK-në të propozojnë së bashku tre kandidatë për president
Për shkak të kohës së kufizuar të afateve kushtetuese, LVV ka theksuar se pret përgjigje nga subjektet opozitare deri të dielën në mbrëmje
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), partia e cila ka shumicën në Kuvendin e Kosovës, ka kërkuar nga dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), që të dyja të propozojnë së bashku tre kandidatë për presidentë, transmeton Anadolu.
LVV përmes një shkrese zyrtare ka sqaruar se emrat e tre të propozuarve për president të vendit duhet të jenë unifikues dhe të mos jenë pjesë e politikës.
“Ftojmë PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet presidenti i ri nga Legjislatura e 10-të. Këta tre kandidatë duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore dhe jashtë skenës aktuale politike”, thotë LVV.
Më tej, partia më e madhe parlamentare e Legjislaturës së 10-të të Kuvendit tha se për presidentin e ri do të siguroheshin së paku 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe me këtë rast “paraprakisht do të tërhiqeshin nga kandidatura zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca dhe deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku”.
Për shkak të kohës së kufizuar të afateve kushtetuese, LVV ka theksuar se pret përgjigje nga subjektet opozitare deri të dielën në mbrëmje.
“Një zgjidhje duhet të gjendet, sepse ajo është e mundshme. Duhet të përpiqemi dhe të angazhohemi së bashku, sepse është detyrë e jona që buron nga përgjegjësia që na e kanë bartur qytetarët e Kosovës”, thuhet në shkresë.
LVV tha se deri tek ky propozim i ri erdhën "pas propozimeve të shumta dhe gjeneroze nga ana e kësaj partie për të cilat ka marrë vetëm refuzime".
Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të vendit skadon më 28 prill, por deri tani nuk ka asnjë sinjal për një marrëveshje të mundshme.
Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi më 4 prill dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës ushtruese e detyrës së presidentes tani është kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Më 5 mars, LVV propozoi dy kandidatë për president, ministrin Konjufca dhe deputeten Kollçaku, por asnjëri nga ta nuk mori votat e mjaftueshme për këtë pozitë.
Një ditë më vonë, ish-presidentja Osmani nxori dekret për shpërndarjen e Kuvendit, por Gjykata Kushtetuese e rrëzoi këtë vendim duke e cilësuar atë pa efekt juridik dhe duke i dhënë Kuvendit afat deri më 28 prill për zgjedhjen e presidentit të ri.