Dështon përpjekja e 20-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës
Ka dështuar sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës, duke shënuar dështimin e 20-të më radhë

Është shënuar edhe një dështim, i 20-ti me radhë, në përpjekjet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, raporton Anadolu.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari kërkoi nga subjektet politike të propozojnë nga një përfaqësues për Komisionin Zgjedhor, por as kësaj radhe nuk kaloi propozimi.
Seanca u ndërpre, për të vazhduar pas 48-orësh.
Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk po siguron votat e mjaftueshme për të zgjedhur kryetaren e Kuvendit.
Kandidatja e propozuar nga LVV për këtë post, Albulena Haxhiu, nuk ka marrë përkrahjen e nevojshme.
Subjektet politike, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për këtë pozitë. Ndërsa, LVV ka deklaruar se nuk do ta ndërrojë kandidaten e tyre.
Seancat janë duke u mbajtur çdo 48 orë, por asnjëherë nuk është arritur kuorumi apo konsensusi i nevojshëm për të votuar udhëheqësen e legjislativit, çka po e mban të bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.
Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.