Integrimi evropian dhe dialogu me Serbinë në fokus të takimit Kurti–Sorensen
Bëhet e ditur se në kontekst të integrimit evropian, palët diskutuan edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë, mbrëmë priti në darkë pune Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në darkë u diskutua për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian (BE), përfshirë linjëzimin e plotë të politikës së jashtme me bllokun 27-anëtarësh si përcaktim strategjik si dhe angazhimin dhe përkushtimin e Kosovës në përmbushjen e reformave.
Bëhet e ditur se në kontekst të integrimit evropian, palët diskutuan edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Kryeministri Kurti dhe Përfaqësuesi i Posaçëm Sorensen biseduan edhe për aktualitetet politike dhe zhvillimet e brendshme.
Para se të qëndronte në Prishtinë, emisari i BE-së, Sorensen vizitoi Beogradin më 9 prill, ku zhvilloi takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Takimet e tij janë në kuadër të përpjekjeve për të organizuar një takim të nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.
Që nga shtatori i vitit 2023, në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë takim në nivel të udhëheqësve. Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit u zhvillua në shtator të atij viti, disa ditë para sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit.