Rama: Qendrat e industrisë ushtarake do të jenë të ndara në disa pika të territorit
"Ne jemi duke bashkëpunuar dhe duke negociuar me aleatë të mëdhenj të Shqipërisë, me kompani nga më të mëdhatë, nga më prestigjiozet, nga më të avancuarat në fushën e mbrojtjes", deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se qendrat e industrisë ushtarake do të jenë të ndara në disa pika të territorit të vendit dhe sipas kapaciteteve dhe profileve do të profilizohen në prodhime të llojeve të ndryshme, raporton Anadolu.
Rama është takuar sot me banorë të qytetit të Rubikut, mes të cilëve ish-punonjës të kompleksit, ku në të kaluarën prodhoheshin pjesë mbështetëse për armatimin dhe ushtrinë shqiptare.
Rama ka deklaruar se duke zhvilluar industrinë ushtarake, nuk rrisin thjesht kapacitetet mbrojtëse, por sipas tij rrisin në mënyrë të ndjeshme ekonominë vendore dhe kombëtare.
"Kemi krijuar një agjenci të posaçme të industrisë së mbrojtjes. Filozofia jonë është që investimet në rritje për mbrojtjen që janë investime që po i bëjnë të gjitha vendet dhe të cilat ne i kemi kanalizuar fillimisht për disa gjëra themelore që mungonin, është të investojmë për të fituar dhe për të riinvestuar. Të investojmë asetet e ushtrisë, të cilat janë keqpërdorur në mënyrë skandaloze për shumë vite", tha Rama.
Ai theksoi se po ashtu pjesë e investimeve janë edhe investimet për automjetet ushtarake dhe se do të krijohet një bazë eksportesh, që sipas tij, do të sjellë të ardhura dhe vlerë të shtuar për ushtrinë.
"Ne jemi duke bashkëpunuar dhe duke negociuar me aleatë të mëdhenj të Shqipërisë, me kompani nga më të mëdhatë, nga më prestigjiozet, nga më të avancuarat në fushën e mbrojtjes. Kemi ndërtuar rrugët e duhura për të bërë këto marrëveshje dhe së shpejti ky program do të nisë konkretisht pas firmosjes së kontratës, do të nisë konkretisht këtu në Qendrën e Industrisë Ushtarake në Rubik", tha Rama.
Kryeministri Rama shtoi se janë duke përgatitur edhe hapjen e akademisë së pilotëve, ku shtoi se do të fillojë edhe përgatitja e pilotëve shqiptarë. "Synimi është që kjo të jetë një akademi që t'i shërbejë edhe forcave aleate, të tjerëve", tha ndër të tjera Rama.