Maqedoni e Veriut, konfirmohen 2 raste të lisë së majmunëve
Instituti i Shëndetit Publik tha se nuk ka vend për panik pasi të gjitha masat e nevojshme po merren institucionalisht shpejt dhe në kohën e duhur

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) njoftoi se për herë të parë në Maqedoninë e Veriut, janë konfirmuar në mënyrë laboratorike dy raste të lisë së majmunëve, transmeton Anadolu.
Sipas Institutit, Klinika e Sëmundjeve të Lëkurës ka referuar dy pacientë të dyshuar për li majmuni dhe gjithashtu ka urdhëruar testime për HIV, sifiliz dhe herpes.
"Instituti i Shëndetit Publik kreu analiza laboratorike në tri mënyra të ndryshme, të cilat konfirmuan laboratorikisht dy raste të lisë së majmunëve. Meqenëse lija e majmunëve është konfirmuar në laborator për herë të parë në vendin tonë, pas marrjes së rezultateve, menjëherë u mor një reagim i shpejtë, u morën masa të përshtatshme dhe u njoftuan institucionet kompetente, Ministria e Shëndetësisë, Klinika e Sëmundjeve të Lëkurës, Klinika e Sëmundjeve Infektive etj.", tha Instituti.
Sipas protokolleve, një anketë epidemiologjike ka filluar nga epidemiologë të ISHP-së
"Ekspertët epidemiologjikë nga ISHP-ja janë rikthyer në punë dhe kanë filluar një anketë epidemiologjike të dy individëve, me qëllim marrjen e të dhënave që do të ishin jashtëzakonisht të rëndësishme për veprime të mëtejshme. Anketa është ende duke vazhduar. Pacientëve pozitivë do t'u rekomandohet të kontaktojnë Klinikën e Sëmundjeve Infektive", njoftoi ISHP-ja.
Siç njoftohet, ISHP-ja do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe do të informojë se aktualisht nuk ka vend për panik, pasi të gjitha masat e nevojshme po merren institucionalisht shpejt dhe në kohën e duhur.
ISHP-ja theksoi se janë mobilizuar të gjitha kapacitetet institucionale për të kapërcyer pasojat e këtij fenomeni dhe se po merren të gjitha masat parandaluese.