Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë në protestë, kërkon rritjen e pagës minimale në 500 euro
"Sot erdhëm këtu që të kërkojmë nga ju të merrni vendim që paga minimale të jetë jo më pak se 500 euro dhe të rriten të gjitha pagat e mbetura për 100 euro", tha Trendafillov

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) doli në rrugët e Shkupit për të shprehur revoltën e saj, pasi javën e kaluar qeveria miratoi rritjen e pagës minimale për 1.800 denarë, shumë jo e kënaqshme nga LSM-ja që sipas saj është e kundërligjshme pasi paga minimale në vend duhet të jetë jo më pak se 500 euro, raporton Anadolu.
Protesta filloi në mesditë para Shtëpisë së Punëtorëve, ku anëtarët e udhëheqjes së LSM-së hapën seancën publike në rrugë. Më pas, ata marshuan drejt ndërtesës së shtëpisë ligjvënëse, ku u dërguan mesazh deputetëve që të marrin vendim për rritjen e pagës minimale në 500 euro dhe më pas drejt Odës Ekonomike për të përfunduar protestën para qeverisë.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov tha se pagat e rritura së fundmi të funksionarëve shtetërore me 79 për qind, përfshirë për deputetët, nuk janë "të merituara".
Ai në seancën publike të mbajtur para Kuvendit tha organet e LSM-së, sindikatat e qytetit dhe luftëtarët e të drejtave të punëtorëve njëzëri vendosën që deputetët të ulin pagat e tyre në paga minimale deri në rritjen e pagës minimale për punëtorët e vendit sipas kërkesave të tyre.
"Sot erdhëm këtu që të kërkojmë nga ju të merrni vendim që paga minimale të jetë jo më pak se 500 euro dhe të rriten të gjitha pagat e mbetura për 100 euro. Sot erdhëm këtu, ne që vendosim në sindikata, se pagat janë të mjerueshme", tha Trendafillov.
Ata vazhduan seancën publike edhe para Odës Ekonomike dhe para qeverisë, ku porositën se nuk mund të vendoset për punëtorët pa përfshirjen e punëtorëve në vendime. Sipas tyre, qeveria duhet të heq "vendimin e paligjshëm" për përcaktimin e pagës minimale dhe të përcaktojë një metodologji të re për përcaktimin e pagave në interes të punëtorëve.
Qeveria vendosi që paga minimale nga muaji mars të rritet për 1.800 denarë, përkatësisht duke arritur në 24.379 denarë. Paraprakisht sindikatat dolën me propozim për përcaktimin e pagës minimale në përputhje me ligjin për një rritje, sipas tyre, prej 6.000 denarësh shtesë.
Më herët, ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi tha se vendimi për rritjen e pagës minimale për 1.800 denarë është marrë në përputhje me ligjin.