Kryeministri Rama shtron iftar
Në iftarin e organizuar në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë ishin të pranishëm zyrtarë të lartë, ambasadorë dhe personalitete nga fusha të ndryshme

Nën kujdesin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rana dhe bashkëshortes së tij, Linda Rama, është organizuar një program iftari në Tiranë.
Në iftarin e organizuar në ambientet e Pallatit të Kongreseve ishin të pranishëm zyrtarë të lartë, ambasadorë dhe personalitete nga fusha të ndryshme.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama u shpreh se kjo sofër tradicionale i jep gjithmonë një ndjesi gati fëmijërore gëzimi.
"Sot është një iftar i posaçëm edhe për faktin se nga njëra anë imazhi i këtij iftari është imazhi i xhamisë së bukur të Ballies në Elbasan, e cila u vlerësua edhe me një çmim ndërkombëtar për arkitekturën dhe në ndërkohë në Tiranë ka hapur dyert më në fund pas shumë e shumë vitesh pritjeje edhe Xhamia e madhe e Namazgjasë”, tha Rama.
Rama theksoi se e shijon këtë moment të Muajit të Madhërishëm të Ramazanit, "kur na jepet mundësia të ndihemi mirë në besimin tek mirësia e njerëzimit, tek triumfi i dashamirësisë dhe tek rrjedha pozitive e jetës".
"Dhe Evropa sot ka nevojë për sa më shumë qytetarë dhe partnerë luajalë të besimit islam siç janë myslimanët shqiptarë, por edhe për pesë shtyllat e urtësisë së tij, për t’u mëkëmbur ndërkombëtarisht e për të forcuar sigurinë e vet gjeopolitike dhe profilin e saj të zbehur strategjik. Evropa ka nevojë sot më shumë për Türkiyen dhe aleatët e tjerë të Lindjes së Mesme se sa Türkiye dhe aleatët në fjalë kanë nevojë për Evropën e sotme", tha Rama.
Rama tha ndër të tjera se myslimanët e Shqipërisë janë një vlerë e shtuar e "qenies sonë", sipas tij një vend i denjë për të qenë anëtarët më të rinj të Bashkimit Evropian (BE).