Kosova mposht Islandën 2:1 në stadiumin Fadil Vokrri
Ndeshja e kthimit me Islandën do të luhet të dielën, më 23 mars, në Murcia të Spanjës

Kombëtarja e Kosovës në futboll e ka mposhtur me rezultat 2 me 1 Islandën në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, në kuadër të kualifikimeve “play-off”-it të Ligës së Kombeve.
Vendasit ishin të parët që shënuan ndaj mysafirëve, pasi në minutën e 19-të të ndeshjes qendërmbrojtësi kosovar Lumbardh Dellova shënoi gol për rezultat 1 me 0.
Por avantazhi i vendësve nuk zgjati shumë, pasi në minutën e 22-të, mysafirët shënuan nëpërmjet kapitenit të tyre Orri Oskarsson, duke barazuar 1 me 1, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë e ndeshjes.
Kosova në pjesën e dytë përsëri e riktheu epërsinë me golin e Elvis Rexhbeçajt në minutën e 58-të, gol që për të ishte i pari me fanellën e “Dardanëve”.
Vendasit patën edhe disa raste të mira për të shënuar, sikurse ai i nga Vedat Muriqi në pjesën e parë dhe Milot Rashica në pjesën e dytë, por që nuk u konkretizuan me gol.
Gjithashtu edhe mysafirët ishin shumë afër të barazonin, por portieri Arijanet Muriq në disa raste shpëtoi Kosovën pa pranuar gol.
Ndeshja e kthimit me Islandën do të luhet të dielën, më 23 mars, në Murcia të Spanjës.