Kosova dhe Serbia arrijnë dakordim për funksionalizimin e Komisionit për Personat e Pagjetur
Kryenegociatori Besnik Bislimi ka thënë se përpos të pagjeturve, në pika të shkurtra janë prekur edhe elemente të tjera, për të cilat, sipas tij, pritet të ketë lëvizje pas formimit të qeverisë së re
Kosova dhe Serbia janë dakorduar që ta funksionalizojnë Komisionin për Personat e Pagjetur gjatë luftës në Kosovë, ka konfirmuar kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, raporton Anadolu.
Bislimi pas takimeve që ka zhvilluar në Bruksel me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, tha për media se javën e ardhshme mbetet të përcaktohen prioritetet e para të punës së këtij komisioni.
“Arritëm përfundimisht ta funksionalizojmë Komisionin e përbashkët për Personat e Pagjetur. Mbetet që në javët në vijim të takohen zëvendësit tanë dhe të përcaktojnë prioritetet e para të punës së Komisionit të përbashkët”, ka deklaruar Bislimi pas takimeve.
Bislimi po ashtu ka thënë se përpos të pagjeturve, në pika të shkurtra janë prekur edhe elemente të tjera, për të cilat, sipas tij, pritet të ketë lëvizje pas formimit të qeverisë së re.
Marrëveshja u arrit pasi përfaqësuesi i BE-së për dialogun, Peter Sorensen, zhvilloi takime të ndara dhe të gjata me të dy kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
Takimi trepalësh zgjati shumë shkurt dhe shërbeu vetëm për formalizimin e marrëveshjes.
Formimi i këtij komisioni është bërë përmes një marrëveshje të arritur gjatë vitit 2024 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ky ishte takimi i parë i kryenegociatorëve Kosovë-Serbi me përfaqësuesit e BE-së në Bruksel për këtë vit. Gjatë vitit 2025, kryenegociatorët u takuan vetëm dy here, ndërsa takimet nuk prodhuan ndonjë rezultat.
Përfaqësuesi i BE-së, Peter Sorensen, në mes të janarit, gjatë vizitës së tij në Prishtinë, tha se pret që sivjet dialogu të marrë atë që më 2025 nuk e mori.
Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takime të nivelit të lartë që nga viti 2023.