Koreja e Veriut dënon thirrjen e G7-tës për çarmatimin bërthamor

- Kim, motra me ndikim e liderit koreano-verior, tha se statusi i Phenianit si shtet me armë bërthamore është “realitet i finalizuar në mënyrë të pakthyeshme” që nuk mund të ndryshohet në asnjë rrethanë

SHQİP Yayın: 19 Haziran 2026 - Cuma - Güncelleme: 19.06.2026 11:02:00
Editör -
Okuma Süresi: 4 dk.
Google News

Koreja e Veriut ka dënuar vendet e G7-tës për thirrjen e tyre për çarmatimin bërthamor të vendit ndërsa zyrtarja e lartë Kim Yo Jong e përshkroi këtë kërkesë si shkelje të sovranitetit dhe rendit kushtetues të vendit, transmeton Anadolu.

Kim, motra me ndikim e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, sipas Agjencisë Qendrore Koreane të Lajmeve (KCNA), tha se statusi i Phenianit si shtet me armë bërthamore është “realitet i finalizuar në mënyrë të pakthyeshme” që nuk mund të ndryshohet në asnjë rrethanë.

Ajo tha se arsenali bërthamor i Koresë së Veriut është interes thelbësor kombëtar dhe shërben si mjet parandalues vetëmbrojtës ndaj asaj që e quajti kërcënime të vazhdueshme nga vendet armiqësore. Kim paralajmëroi se përpjekjet për të minuar statusin bërthamor të vendit do të përbënin “ftesë për katastrofë”.

Deklaratat erdhën një ditë pasi liderët e G7-tës, të cilët u takuan këtë javë në qytetin bregdetar Evian të Francës, riafirmuan angazhimin e tyre për “çarmatimin e plotë bërthamor” të Koresë së Veriut në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Liderët e G7-tës shprehën shqetësim për programet bërthamore dhe të raketave balistike të Koresë së Veriut, riafirmuan mbështetjen për çarmatimin e plotë bërthamor të vendit dhe i bënë thirrje Phenianit të zgjidhë rastet e kahershme të rrëmbimeve.

Ata gjithashtu u zotuan për bashkëpunim për të luftuar krimin kibernetik dhe vjedhjet e kriptovalutave të lidhura me Korenë e Veriut. Kim i hodhi poshtë thirrjet për çarmatim bërthamor si “plotësisht të vjetruara”, duke këmbëngulur se presioni ndërkombëtar nuk do të ndryshojë politikën bërthamore të Koresë së Veriut.

Komentet e saj pasojnë një sërë deklaratash të fundit nga Pheniani, të cilat e kanë shpallur çarmatimin bërthamor si një çështje të mbyllur përgjithmonë dhe kanë riafirmuar planet për forcimin e kapaciteteve bërthamore të vendit.

Ndërkohë, sipas Yonhap News, presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung tha se presidenti amerikan Donald Trump shprehu “keqardhje për dështimin për të ndërmarrë veprimet e duhura” lidhur me çështjen bërthamore të Koresë së Veriut përpara se vendi të siguronte në mënyrë efektive armë bërthamore.

Lee u takua me Trumpin në margjinat e Samitit të G7 në Francë. "Çështja bërthamore e Koresë së Veriut nuk duhet të trajtohet në të njëjtën mënyrë si ajo e vendeve të tjera", i tha Lee Trumpit.

"Trumpi u pajtua me këtë pikë", tha Lee duke shtuar: "Ai (Trumpi) dukej se ishte i shqetësuar për shkak të mungesës së një zgjidhjeje të duhur".

Yorumlar (0)
Suç teşkil edecek, yasadışı, tehditkar, rahatsız edici, hakaret ve küfür içeren, aşağılayıcı, küçük düşürücü, kaba, müstehcen, ahlaka aykırı, kişilik haklarına zarar verici ya da benzeri niteliklerde içeriklerden doğan her türlü mali, hukuki, cezai, idari sorumluluk içeriği gönderen Üye/Üyeler’e aittir.