Indonezia zgjat mbylljen e aeroporteve për shkak të hirit vullkanik që pengon fluturimet
Gjithsej tetë aeroporte pezulluan operacionet të dielën pasi hiri u vërejt në hapësirën e tyre ajrore, duke shkaktuar ndërprerjen e më shumë se 1.000 fluturimeve dhe duke lënë të bllokuar mbi 170 mijë pasagjerë

Dhjetëra mijëra pasagjerë mbetën të bllokuar pasi autoritetet indoneziane zgjatën deri në orën 18:00 sipas kohës lokale të hënën mbylljen e katër aeroporteve, përfshirë aeroportin kryesor të Xhakartës, pasi hiri vullkanik nga mali Anak Krakatau detyroi pezullimin e operacioneve, raportuan mediat lokale, transmeton Anadolu.
Aeroporti Ndërkombëtar Soekarno-Hatta mbeti i mbingarkuar të hënën në mëngjes, pas pezullimit të përkohshëm të qindra fluturimeve për shkak të shqetësimeve lidhur me hirin vullkanik, raportoi e përditshmja lokale në gjuhën angleze "Jakarta Globe".
Mali Anak Krakatau, rreth 150 kilometra nga Xhakarta, shpërtheu të shtunën, duke shkaktuar një re hiri vullkanik në qiell.
Në aeroporte u panë radhë të gjata pasagjerësh që kërkonin rimbursim ose ndryshimin e orarit të fluturimeve. Shumë fluturime u shtynë për të martën.
Gjithsej tetë aeroporte pezulluan operacionet të dielën pasi hiri u vërejt në hapësirën e tyre ajrore, duke shkaktuar ndërprerjen e më shumë se 1.000 fluturimeve dhe duke lënë të bllokuar mbi 170 mijë pasagjerë.
Autoritetet i cilësuan mbylljet e aeroporteve si masë paraprake, të ndërmarrë në bazë të konsideratave për sigurinë e aviacionit.


