Begaj takon kreun e KE-së, Costa: Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor është një investim strate
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj priti sot në një takim në Tiranë, presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka deklaruar se zgjerimi i Bashkimit Evropian (BE) në Ballkanin Perëndimor është një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e gjithë kontinentit evropian, transmeton Anadolu.
Presidenti Begaj priti sot në një takim në Pallatin e Brigadave në Tiranë, presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se gjatë takimit u vlerësua "progresi i spikatur" i Shqipërisë në procesin e negociatave, përfshirë mbajtjen e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare BE–Shqipëri, "e cila konfirmoi përmbushjen e kritereve ndërmjetëse për Kapitullin 1 'Themeloret'”.
Gjithashtu thuhet se presidenti Begaj i përcolli kreut të KE-së, Costa, vendosmërinë e Shqipërisë për "të plotësuar agjendën dhe objektivat për mbylljen e grupkapitujve brenda vitit 2027".
“Reforma në drejtësi, forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përputhja e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së dëshmojnë se Shqipëria është një partner i besueshëm dhe vullnetplotë për të qenë pjesë e familjes evropiane. Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor nuk është vetëm një proces integrimi, por një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e gjithë kontinentit evropian”, ka deklaruar Begaj.
Sipas njoftimit, Begaj ka falënderuar presidentin e Këshillit Evropian për "prioritizimin e procesit të zgjerimit të BE- së me vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë mandatit të tij".
“Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen e fuqishme që Këshilli dhe Komisioni po i japin Shqipërisë në këtë rrugëtim. Shqipëria do të vijojë me ritëm të shpejtë dhe rezultate konkrete në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Jemi të bindur se reformat nuk i bëjmë vetëm si kërkesa të BE-së, por mbi të gjitha për qytetarët tanë", ka theksuar Begaj.
Costa është takuar edhe me kryeministrin Edi Rama dhe pritet edhe një konferencë për mediat.


