Autoritetet e Kosovës arrestojnë nëntë të dyshuar për krime lufte në Zubin Potok
Me aktvendim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës kanë arrestuar nëntë persona të dyshuar për krime lufte në Komunën e Zubin Potokut, transmeton Anadolu.
Me aktvendim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Në operacionin e quajtur “Dosja 23”, u arrestuan personat me inicialet D.D., M.R., M.R., R.R., S.D., S.D., V.L., R.R dhe D.D të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, mbështetur edhe nga njësitë e tjera të Policisë së Kosovës, kanë zhvilluar urdhër kontrollin në disa lokacione në komunën e Zubin Potokut.
Gjatë realizimit të bastisjes, janë sekuestruar prova materiale, si: nëntë telefona mobilë; dy libreza ushtarake; një armë e gjatë dhe një pushkë gjuetie; fishekë të kalibrit 7.65 mm dhe fishekë të pushkës së gjuetisë; katër predha; para të gatshme në shumën rreth 23.000 euro dhe para të gatshme në shumën rreth 60.000 dinarësh serbë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Policia e Kosovës, "riafirmojnë përkushtimin dhe angazhimin në ndjekjen penale dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës".
Gjithashtu u bë e ditur se operacioni policor ndërlidhet me rastin e njohur si “Grupi i intelektualëve”. Mbetjet mortore të 23 personave të cilat dyshohet se i përkasin "Grupit të Intelektualëve" janë gjetur nga gërmimet në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut, ndërsa tani janë në fazën e identifikimit.