Ambasadori turk në Tiranë: Turqia dhe Shqipëria ndajnë një marrëdhënie shumë të veçantë
- Përfaqësia për Shqipërinë e Shoqatës së Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Pavarur nga Turqia (MUSIAD Albania), ka organizuar Samitin e Ndërtimit dhe Materialeve të Ndërtimit Shqipëri–Turqi.
Në Tiranë po mbahet Samiti i Ndërtimit dhe Materialeve të Ndërtimit Shqipëri-Turqi, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve turke dhe shqiptare dhe përfaqësuesve të biznesit nga të dy vendet, raporton Anadolu.
Eventi dyditor organizohet nga Përfaqësia për Shqipërinë e Shoqatës së Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Pavarur nga Turqia (MUSIAD Albania), duke u konsideruar si një platformë e rëndësishme për dialog institucional dhe bashkëpunim ekonomik mes Shqipërisë dhe Turqisë.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, gjatë fjalës së saj në hapje të eventit u shpreh se sektori i ndërtimit nuk lidhet vetëm me ndërtimin, por sipas saj është një sektor i cili tregon për një ecuri pozitive të investimeve në Shqipëri.
"Sot me kënaqësi mund të them se marrëdhëniet tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë në vitet e fundit kanë pasur një rritje të konsiderueshme. Sigurisht nuk jemi aty ku duhet të jemi dhe sigurisht duhet shumë punë dhe prandaj duartrokas dhe forumin e sotshëm i cili nuk është thjesht një forum që mbledh bashkë biznese të fushave të ndryshme, është një forum i specializuar me një pjesëmarrje të madhe të bizneseve turke", tha ajo.
Ibrahimaj theksoi se duan që marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Shqipërisë, jo vetëm politikisht të jenë të forta, por edhe në fushën e ekonomisë të forcohen gjithmonë e më shumë.
Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, në fjalën e tij u shpreh Turqia dhe Shqipëria ndajnë një marrëdhënie shumë të veçantë, duke shtuar se dy vendet janë partnerë strategjikë dhe aleatë të NATO-s.
"Ne ndajmë lidhje të forta historike dhe njerëzore, dhe marrëdhëniet tona po zhvillohen në një spektër të gjerë. Megjithatë, ka një pikë që ngrihet pothuajse në çdo takim dhe në çdo rast: marrëdhëniet tona ekonomike dhe tregtare nuk janë ende aty ku do të donim të ishin. Ne vazhdimisht e sjellim këtë çështje në agjendë për të nxitur përmirësimin", tha ambasadori turk.
Ambasadori Erciyes theksoi se në Shqipëri ekziston një perspektivë e fortë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ku turizmi po zhvillohet me shpejtësi dhe sipas tij Shqipëria po tërheq me sukses investime të kapitalit të huaj.
Zv.presidenti i përgjithshëm i MUSIAD-it, Abdulkadir Çinar tha se MUSIAD është një organizatë e fuqishme biznesi që përfaqëson intelektin dhe shpirtin sipërmarrës të komunitetit të biznesit, që vepron si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Duke theksuar se MUSIAD jep kontribute të rëndësishme në zhvillimin e investimeve, prodhimit, eksporteve dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare, Çinar tha se "Një nga parimet themelore të MUSIAD është të bashkojë biznesmenët jo vetëm për tregti, por për të nxitur miqësi të qëndrueshme dhe partneritete të forta. Forumi që po mbajmë sot këtu në Tiranë është një shembull i shkëlqyer i kësaj filozofie. Ekziston një miqësi e fortë midis Turqisë dhe Shqipërisë, e rrënjosur në lidhje historike dhe kulturore. Ne dëshirojmë ta shohim këtë miqësi të forcohet më tej përmes marrëdhënieve ekonomike, investimeve të ndërsjella dhe projekteve të përbashkëta".
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe kryetari i MUSIAD Albania, Muhammet Isler, i cili theksoi se në Shqipëri po ecin përpara me shpejtësi me përpjekjet për të rritur vëllimin e tregtisë dhe bashkëpunimin tregtar midis Turqisë dhe Shqipërisë.
"Nuk kam asnjë dyshim se më shumë se 150 kompanitë tona turke do të angazhohen në takime shumë produktive B2B me kompanitë e pranishme dhe në fund do t'i kurorëzojnë këto ndërveprime me bashkëpunime të suksesshme", tha Isler.

