Sllovenia nuk planifikon të zvogëlojë praninë e saj në KFOR
“Çdo vendim lidhur me përshtatjet e mundshme të angazhimit të ardhshëm të Forcave të Armatosura Sllovene në KFOR do të merret pas një vlerësimi gjithëpërfshirës”, deklaroi Ministria sllovene e Mbrojtjes
Sllovenia aktualisht nuk ka plane për të reduktuar numrin e ushtarëve të saj në kuadër të Misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes e Sllovenisë, transmeton Anadolu.
Ministria sllovene e Mbrojtjes tha se vendimet lidhur me këtë çështje do t’i ndërmarrin pas një vlerësimi gjithëpërfshirës.
“Çdo vendim lidhur me përshtatjet e mundshme të angazhimit të ardhshëm të Forcave të Armatosura Sllovene në KFOR do të merret pas një vlerësimi gjithëpërfshirës, duke marrë parasysh nevojat e misionit dhe kapacitetet tona”, thuhet në deklaratën e ministrisë, të cituar nga agjencia sllovene e lajmeve STA.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht 106 pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Sllovenisë janë të angazhuar në misionin e KFOR-it në Kosovë.
Këtë javë u paralajmërua se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), pritet të bëjnë ndryshime në kontributin e tyre në KFOR, në kuadër të një procesi më të gjerë të rishikimit të pranisë ushtarake të Aleancës në vend.
Një zyrtar i Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM) tha se vendimi bazohet në rishikimin vjetor të bërë nga Komanda Supreme e Forcave Aleate në Evropë (SHAPE), e cila rekomandoi përshtatjen e trupave në terren.
Javën e kaluar, NATO-ja njoftoi se do ta zvogëlojë gradualisht praninë e saj në Kosovë gjatë vitit të ardhshëm, për shkak të, siç tha, përmirësimit të situatës së sigurisë.

