Shkup, mbahet Forumi Ekonomik i Biznesit midis Maqedonisë së Veriut dhe Sllovakisë
Në kuadër të forumit u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovim të Eksportit të Maqedonisë së Veriut dhe agjencisë sllovake SARIO
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, së bashku me ministrin e Financave të Sllovakisë, Ladislav Kamenicky, sot në Shkup ka hapur Forumin Ekonomik të Biznesit midis Maqedonisë së Veriut dhe Sllovakisë, ku morën pjesë një numër i madh kompanish vendore dhe sllovake, transmeton Anadolu.
Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme, ngjarja, e organizuar nga të dy ministritë me përfshirjen e disa institucioneve ekonomike, u ndoq gjerësisht nga përfaqësues të odave ekonomike dhe komunitetit të biznesit.
Të pranishmit patën mundësi për takime të drejtpërdrejta dhe rrjetëzim me kompani sllovake nga sektorët e energjetikës, ndërtimtarisë, shëndetësisë dhe mjekësisë, turizmit, tregtisë dhe shërbimeve të tjera.
Në fjalën e tij, ministri Mucunski theksoi se forumi është dëshmi jo vetëm e afërsisë politike ndërmjet dy vendeve, por edhe e besimit të përbashkët në fuqinë e partneritetit ekonomik.
"Diplomacia ekonomike nuk është plotësim i politikës së jashtme, ajo është thelbi i saj. Marrëdhëniet e forta politike duhet të shoqërohen me baza të forta ekonomike", tha Mucunski duke falënderuar partnerët dhe kompanitë sllovake për praninë e tyre, të cilën e cilësoi si shenjë besimi.
Ai theksoi se Maqedonia e Veriut ofron stabilitet, hapje dhe parashikueshmëri si bazë për investime, ndërsa harmonizimi i vazhdueshëm me legjislacionin evropian përbën garanci për transparencë dhe siguri juridike. Mucunski në veçanti theksoi potencialet në industrinë automobilistike, prodhimin e komponentëve, sektorin e TIK-ut, burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe agrobiznesin.
Ministri maqedonas tha se arritjet e Sllovakisë në prodhimin automobilistik, inovacion dhe tranzicion energjetik krijojnë bazë të natyrshme për thellimin e partneritetit përmes investimeve të përbashkëta, integrimit të zinxhirëve të furnizimit dhe transferimit të teknologjive.
Në kuadër të forumit u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovim të Eksportit të Maqedonisë së Veriut dhe agjencisë sllovake SARIO, duke hapur hapësirë shtesë për bashkëpunim institucional dhe promovim të përbashkët ekonomik.
Mucunski theksoi se qeveria mbetet e përkushtuar në mbështetjen e komunitetit të biznesit përmes rrjetit diplomatik, institucioneve për promovimin e investimeve dhe mekanizmave për lehtësimin e tregtisë, me qëllim identifikimin e mundësive të reja dhe eliminimin e pengesave administrative.
Forumi u vlerësua si një hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe krijimit të mundësive të reja për investime, inovacion dhe rritje të qëndrueshme në interes të të dy vendeve.