Presidentja Osmani takoi në Kopenhagë kreun e NATO-s, Mark Rutte
Osmani e konsideroi këtë takim si të shkëlqyer për të riafirmuar gatishmërinë kosovare për koordinim të rregullt në mbrojtje të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Samitin e Liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Danimarkë, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Presidentes, Osmani e konsideroi këtë takim si të shkëlqyer për të riafirmuar gatishmërinë kosovare për koordinim të rregullt në mbrojtje të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor.
"Theksova po ashtu rolin vendimtar të NATO-s në garantimin e stabilitetit rajonal, si dhe përkushtimin e Kosovës për të qenë partnere e besueshme në përballjen me sfidat e përbashkëta", shkroi Osmani pas takimit.
Presidentja Osmani po merr pjesë në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian bashkë me 45 liderë evropianë përfshirë edhe ata të institucioneve të BE-së.
Komuniteti Politik Evropian (EPC) është një platformë për liderët evropianë ku diskutohen çështjet kryesore me të cilat përballet kontinenti.
I nisur në vitin 2022, EPC-ja synon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe të thellojë bashkëpunimin ndërmjet vendeve të BE-së dhe atyre jashtë saj.