Ministri Hoxha takon komisioneren Kos: Rruga e Shqipërisë drejt BE-së bazohet në angazhime të forta
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, i Shqipërisë Ferit Hoxha, është takuar në Bruksel me komisioneren për Zgjerimin të Bashkimit Evropian, Marta Kos
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka deklaruar se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian (BE) bazohet në angazhime të forta, reforma të qëndrueshme dhe rezultate konkrete, transmeton Anadolu.
Ministri Hoxha është takuar sot në Bruksel me komisioneren për Zgjerimin të Bashkimit Evropian, Marta Kos.
Në një reagim në rrjetet sociale mbi takimin, Hoxha ka theksuar se në fokus ishte procesi i avancuar i negociatave të anëtarësimit, me theksin sipas tij te rëndësia e ruajtjes së momentit aktual dhe vijimit përpara me konsistencë në këtë rrugë.
"Është thënë shumë herë, por mbetet thelbësore. Një proces i besueshëm dhe i bazuar në meritë zgjerimi varet nga vendimet në kohë që mbështesin besimin dhe e mbajnë procesin të parashikueshëm, të orientuar drejt së ardhmes dhe efektiv. Zgjedhja e Shqipërisë është e qartë: Rruga e saj drejt BE-së bazohet në angazhime të forta, reforma të qëndrueshme dhe rezultate konkrete", është shprehur Hoxha.
Ai ka shtuar se diskutuan gjithashtu mbi zbatimin e agjendës së reformave në kuadër të Planit të Rritjes, "i cili në rastin e Shqipërisë plotëson procesin e pranimit në BE dhe ofron përfitime të prekshme për qytetarët".
Sipas ministrit Hoxha, përputhja e vazhdueshme me standardet e BE-së, forcimi i sundimit të ligjit dhe një gjyqësor i pavarur dhe profesional, si dhe progresi i qëndrueshëm në të gjitha grupet e negociatave mbeten prioritetet e përditshme.
"Ne nënvizuam rolin kyç të një komunikimi të qartë dhe të qëndrueshëm si mbi përfitimet ashtu edhe mbi përgjegjësitë e zgjerimit, thelbësor për forcimin e mbështetjes publike dhe promovimin e transparencës dhe përfshirjes", ka theksuar kryediplomati i Shqipërisë.
Sipas ministrisë, komisionerja Kos vlerësoi progresin e arritur nga Shqipëria dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave, "duke rikonfirmuar se procesi i zgjerimit mbetet një proces i bazuar në meritë".
