Aeroporti i Istanbulit nis operimet e njëkohshme në tri pista të pavarura
Ministri turk i Transportit, Abdulkadir Uraloğlu tha se nga sot, tri avionë do të mund të ulen ose të ngrihen njëkohësisht në pista krejtësisht të pavarura

Aeroporti i Istanbulit, i cili ishte aeroporti i dytë më i ngarkuar i Evropës vitin e kaluar, filloi sot operimin e njëkohshëm të trefishtë në pista, raporton Anadolu.
Me këtë infrastrukturë, Aeroporti i Istanbulit u bë i pari në Evropë që operon me tri pista dhe i dyti në botë pas SHBA-së.
Duke folur në ceremoninë me rastin e vënies në funksion të operimit të pavarur të njëkohshëm në tri pista në aeroport, ministri turk i Transportit, Abdulkadir Uraloğlu tha se nga sot, tri avionë do të mund të ulen ose të ngrihen njëkohësisht në pista krejtësisht të pavarura.
"Kjo nuk është vetëm një hap i parë për Türkiyen, por edhe për aviacionin evropian dhe një moment vendimtar në aviacionin global. Pas SHBA-së, Türkiye është i vetmi vend që e ka zbatuar këtë praktikë", vuri në dukje ai.
Uraloğlu tha se Aeroporti i Istanbulit, një projekt vizionar për Türkiyen, ka qenë një qendër globale që nga hapja e tij më 29 tetor 2018.
"Me një kapacitet vjetor prej 90 milionë pasagjerësh, Aeroporti i Istanbulit e ka çuar Türkiyen në krye të aviacionit global. Kjo strukturë moderne, e cila mirëpret miliona pasagjerë, ka përhapur fuqinë ekonomike dhe kulturore të Türkiyes në botë dhe e ka ndihmuar atë të bëhet një lojtar kryesor në aviacion", theksoi ministri turk.
"Aeroporti mirëpriti mbi 52 milionë pasagjerë në vitin 2019, vitin e tij të parë të funksionimit, dhe u shërbeu mbi 76 milionë pasagjerëve në vitin 2023. Në kategorinë e Aeroporteve të Mëdha, që u shërbejnë më shumë se 40 milionë pasagjerëve në vit, aeroporti priti 80,1 milionë pasagjerë, duke e vendosur atë të dytin në Evropë dhe të shtatin në mbarë botën", shtoi ai.
Uraloğlu shtoi se me këtë sistem, pozita udhëheqëse e Aeroportit të Istanbulit në Evropë do të forcohet edhe më tej dhe Türkiye do të tregojë edhe një herë lidershipin e saj global në aviacion në pjesën tjetër të botës.
Aeroporti i Istanbulit u shërbeu rreth 80 milionë pasagjerëve në vitin 2024, duke e bërë atë aeroportin më të madh dhe të dytë më të ngarkuar në Evropë, sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Aeroporteve Shtetërore (DHMI).
Ai gjithashtu u bë qendra më e ngarkuar e Evropës e ngarkesave ajrore vitin e kaluar, sipas Raportit Vjetor të Trafikut 2024 të Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve (ACI) në Evropë.