Konjufca përshëndet nismën e kongresistëve amerikanë për rezolutën që mbështetë Kosovën në NATO
Kryediplomati kosovar e ka cilësuar këtë nismë si një hap të rëndësishëm për sigurinë rajonale dhe bashkëpunimin transatlantik
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka përshëndetur nismën e tre kongresistëve amerikanë për një rezolutë që mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO, transmeton Anadolu.
Konjufca e ka cilësuar këtë nismë si një hap të rëndësishëm për sigurinë rajonale dhe bashkëpunimin transatlantik.
Reagimi i tij vjen pasi në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së është prezantuar një rezolutë nga kongresistët Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, e cila synon të mbështesë integrimin e Kosovës.
“E mirëpres prezantimin e rezolutës dypartiake në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe i falënderoj kongresistët Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm për sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Kosova është e gatshme të kontribuojë në sigurinë e rajonit dhe të komunitetit transatlantik”, ka shkruar Konjufca në rrjetin social amerikan X.
Rezoluta e propozuar nga kongresistët amerikanë thekson rëndësinë strategjike të përfshirjes së Kosovës në NATO, duke e parë atë si një faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë. Ajo gjithashtu reflekton mbështetjen në rritje brenda politikës amerikane për integrimin euroatlantik të Kosovës.
Katër shtete anëtare të NATO-s, respektivisht Greqia, Rumania, Sllovakia e Spanja, ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.
Rezoluta gjithashtu u bënë thirrje katër aleatëve brenda NATO-s që ende nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës, që t’i rishqyrtojnë qëndrimet e tyre, duke theksuar se njohja më e gjerë e Kosovës është thelbësore për ta zhbllokuar rrugën e saj drejt integrimit në NATO dhe për të mbyllur një boshllëk strategjik në Evropën Juglindore që kundërshtarët kërkojnë ta shfrytëzojnë.
“Kosova ka demonstruar një përkushtim të qartë ndaj stabilitetit rajonal dhe përafrimit strategjik me vendet e NATO, por progresi i saj drejt anëtarësimit në aleancë po pengohet nga mungesa e njohjes nga një numër i vogël aleatësh”, tha kongresisti Self.