Rama takon në Seul homologun e Koresë së Jugut, në fokus Inteligjenca Artificiale dhe turizmi
"Me kryeministrin Kim Minseok, u fol për 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, ngjashmëritë e historive tona dhe bashkëpunimin e mëtejshëm, me fokus teknologjinë, Inteligjencën Artificiale dhe turizmin", tha Rama
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Republikën e Koresë së Jugut, ndërkohë është takuar me kryeministrin Kim Minseok, ku në fokus ishin diskutimet mbi marrëdhëniet mes dy vendeve në disa fusha, transmeton Anadolu.
Pjesë e takimit ishin edhe disa ministra të kabinetit qeveritar të Shqipërisë dhe zyrtarë të tjerë nga të dyja vendet.
"Me kryeministrin e Republikës së Koresë (së Jugut), Kim Minseok, u fol për 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, ngjashmëritë e historive tona dhe bashkëpunimin e mëtejshëm, me fokus teknologjinë, Inteligjencën Artificiale dhe turizmin", ka shkruar Rama në rrjetet sociale në lidhje me takimin.
Sipas Kryeministrisë së Shqipërisë, vizita synon thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve si edhe zgjerimin e partneritetit, në fusha me interes të ndërsjellë për zhvillimin, teknologjinë dhe inovacionin.
Gjithashtu theksohet se agjenda e vizitës përfshin edhe takime me drejtues të kompanive më të mëdha të Koresë së Jugut, me fokus bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë e investimeve në Shqipëri.
Pas vizitës në Korenë e Jugut, Rama pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Japoni.