Rama: Ligji "fisnik" për barazinë gjinore, në përputhje të plotë me parimet e BE-së
“Qentë le të lehin, karvani ecën përpara”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë pas protestës së sotme kundër projektligjit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se ligji "për barazinë gjinore" është në përputhje të plotë me parimet e Bashkimit Evropian, transmeton Anadolu.
Në një postim në rrjetin social amerikan, Rama ka reaguar ndaj, siç ka thënë ai, keqpërdorimit të ligjit “për të shtrembëruar perceptimin publik”.
“Kërkojmë ndjesë për mënyrën fyese se si një ligj shumë fisnik, plotësisht në përputhje me parimet e BE-së për barazinë gjinore dhe mosdiskriminimin, është keqpërdorur për të shtrembëruar perceptimin publik, si dhe për mënyrën se si Ambasadori i BE-së është shfrytëzuar për një qëllim kaq të ulët”, ka shkruar Rama.
“Sidoqoftë, siç themi shqip, qentë le të lehin, karvani ecën përpara”, ka shtuar kryeministri i Shqipërisë, ndërsa po ashtu ka shpërndarë një postim nga komisarja e BE-së për zgjerimin, Marta Kos, e cila ka thënë se barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së.
Kos po ashtu ka theksuar se linjëzimi me këto parime është pjesë e procesit të anëtarësimit në BE, duke shtuar se ligji nuk është kërkesë e ambasadorit evropian në Shqipëri.
“Cdo sulm ndaj tij është i papranueshëm”, ka porositur Kos.
Ndryshe, sot në Shqipëri u mbajt protestë kundër projektligjit "për barazinë gjinore", për të cilin sot po diskutohet në seancë parlamentare.
Dhjetëra qytetarë, por edhe përfaqësues të organizatave të ndryshme dhe aktivistë, u mblodhën para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, gjatë kohës që po fillonte seanca plenare.
Me pankartat me mbishkrimet, "projektligji i barazisë gjinore është i barabartë me antifamilje", "Ka vetëm dy gjini, mashkull dhe femër", "Deputetë, do të mbetet në histori vota jote sot", "Projektligji i barazisë gjinore, armiqësi kundra besimit", "Shqiptarët kundër edukimit gjinor në shkolla", protestuesit u bënë thirrje deputetëve mos ta votojnë projektligjin.
Protestës iu bashkuan edhe disa deputetë të partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë, përfshirë kryetarin e saj dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.
- Projektligji
Sipas autoriteteve shqiptare, projektligji "Për barazinë gjinore", ka si qëllim të rregullojë çështjet themelore të barazisë gjinore në të gjitha fushat e jetës publike dhe private për arritjen e barazisë gjinore plotësisht dhe në mënyrë efektive, ligjërisht dhe në praktikë.
Gjithashtu theksohet se synon trajtimin e barabartë, pavarësisht përkatësisë gjinore, përmes mbrojtjes, mundësive të barabarta për ushtrimin e të drejtave dhe gëzimin e të mirave dhe shërbimeve, pjesëmarrjes, përfaqësimit dhe ndihmesës në zhvillimin e të gjitha fushave të jetës shoqërore.
Projektligji shkaktoi reagime në Shqipëri, pasi fillimisht përcaktonte gjininë si gjithëpërfshirëse.
Me propozimet e reja për ndryshime në projektligj, thuhet se "gjini", nënkupton rolet e ndërtuara në kontekstin social, sjelljet, aktivitetet dhe atributet që një shoqëri e caktuar i konsideron të përshtatshme për gratë dhe burrat.
Projekti final i projektligjit pritet të miratohet sot nga Kuvendi i Shqipërisë, pas diskutimeve në seancën plenare.

