Ndërron jetë edhe një pacient nga zjarri në Koçan, numri i viktimave rritet në 62
Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut njoftoi se sipas informacioneve nga Akademia Ushtarake Mjekësore në Beograd, sot paradite ka ndërruar jetë nga plagët e marra Stojançe Stefanov nga Koçani, i lindur në vitin 2001

Ka ndërruar jetë një pacient nga zjarri në lokalin e natës në Koçan, i cili ishte dërguar për trajtim në Serbi, duke e çuar numrin e viktimave nga kjo tragjedi në 62, transmeton Anadolu.
Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut nëpërmjet një njoftimi bëri të ditur se, sipas informacioneve nga Akademia Ushtarake Mjekësore në Beograd, sot paradite, ka ndërruar jetë nga plagët e marra Stojançe Stefanov nga Koçani, i lindur në vitin 2001.
"Bëhet fjalë për një pacient i cili që nga dita e parë, sipas triazhimit fillestar të kryer nga ekipet mjekësore, është dërguar menjëherë për trajtim në Akademinë Ushtarake Mjekësore në Beograd dhe ka qenë i intubuar dhe në gjendje kritike gjatë muajit të kaluar", thuhet në njoftim.
"Pacienti kishte djegie që përfshinin 27 për qind të trupit dhe lëndime serioze nga thithja e tymit. Në VMA është operuar më 4 prill dhe është vendosur në aparat ECMO, i cili oksigjenon gjakun përmes një makinerie për shkak të thithjes së tymit. Por, për shkak të seriozitetit të plagëve, gjatë kohës së qëndrimit në spital ka qenë në gjendje të paqëndrueshme dhe me gjendje të rëndë të përgjithshme", theksohet më tej.
Ministria e Shëndetësisë në njoftim shprehu ngushëllimet për familjen dhe për të gjithë të prekurit nga tragjedia në Koçan.
Në orët e para të mëngjesit të 16 marsit, në qytetin e Koçanit shpërtheu një zjarr në një lokal nate si pasojë e lëndëve piroteknike gjatë një mbrëmje argëtuese. Fillimisht nga zjarri humbën jetën 59 persona dhe më shumë se 170 të tjerë u plagosën.