Ministri i jashtëm Konjufca në Hagë: Presim aktgjykim lirues për ish-krerët e UÇK-së
- Ministri i jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca tha se lufta e UÇK-së ishte një luftë e domosdoshme mbrojtëse me qëllim lirinë e popullit të Kosovës.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi para objektit të Dhomave të Specializuara në Hagë se pret një aktgjykim lirues për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), transmeton Anadolu.
Konjufca tha se lufta e UÇK-së ishte një luftë e domosdoshme mbrojtëse me qëllim lirinë e popullit të Kosovës.
“Ky verdikt është një aktgjykim lirues për katër ish-krerët e UÇK-së. Lufta jonë ishte një luftë e domosdoshme mbrojtëse dhe kishte një qëllim, atë të lirisë për popullin tonë dhe ndalimin e gjenocidit që në atë kohë po kryhej nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare të Serbisë”, tha Konjufca.
Ai tha se kjo nuk është vetëm një bindje e popullit të Kosovës, por se gjatë procesit gjyqësor këtë e kanë dëshmuar edhe figura të njohura ndërkombëtare.
“Prej gjeneralit amerikan të NATO-s Wesley Clark e deri te zëvendëssekretari i Jashtëm amerikan, ishin dhjetëra figura ndërkombëtare që dëshmuan luftën e drejtë mbrojtëse të popullit të Kosovës”, tha Konjufca.
Sot në Dhomat e Specializuara në Hagë pritet aktgjykimi për katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët përballen me akuza për "krime lufte" dhe "krime kundër njerëzimit".


