Kosovë, përkujtohet beteja e Koshares në 26-vjetorin e saj
"Me betejën e lavdishme të Koshares, UÇK-ja, me luftëtarë nga pothuajse të gjitha njësitet e zonave operative të saj e shembi kufirin që ndante shqiptarët, që ndante Kosovën nga Shqipëria", tha Kurti

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial "Dëshmorët e Koshares", në 26-vjetorin e betejës së lavdishme të Koshares e cila u zhvillua midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ushtrisë jugosllave, në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë.
"Ne vijmë këtu te varret e dëshmorëve që t'ia kujtojmë e përkujtojmë vetes se sa e lartë ishte sakrifica e tyre, sa e lavdishme është lufta e UÇK-së dhe sa i madh çmimi i lirisë që e gëzojmë, të shtetit të cilin po e ndërtojmë së bashku", u shpreh kryeministri pas homazheve.
Kurti theksoi se 26 vjet më parë, me betejën e lavdishme të Koshares, UÇK-ja, me luftëtarë nga pothuajse të gjitha njësitet e zonave operative të saj e shembi kufirin që ndante shqiptarët, që ndante Kosovën nga Shqipëria e që ishte i vjetër që nga viti 1913, respektivisht nga vitit 1918.
"Nga radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ranë dëshmorë 114 luftëtarë, me në krye komandantin Agim Ramadani - Katana dhe Sali Çekun, por gjithashtu kishim edhe mbi 400 të plagosur. U vranë së paku 108 ushtarë e oficerë të ushtrisë agresore e okupatore serbe. Përveç kësaj është e rëndësishme të theksohet që në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishim vullnetarë nga Franca e Algjeria, nga Italia, Suedia e Britania, ndërkaq në radhët e ushtrisë së Serbisë kishte mercenarë nga Rusia", deklaroi Kurti.
Beteja e Koshares u zhvillua nga 9 prilli 1999 deri më 10 qershor 1999 në kuadër të Operacionit "Shigjeta".
Në këtë betejë, përpos mbështetjes nga forcat ajrore të NATO-s, UÇK-ja mori mbështetje edhe nga Ushtria e Shqipërisë. Beteja njihet si një nga më të përgjakshmet dhe më të suksesshmet të luftës së Kosovës për liri.